Kanë nisur procedurat për djegien e mandateve të opozitës. Ku sipas Kodit Zgjedhor në rast se një deputet vendos të djegë mandatin e tij, automatikisht i kalon deputetit që e ndjekë në listë. Por, deputeti i PD, Luçiano Boçi ka sqaruar se mandatin e tij nuk do ta marrë askush.
"Mandati nuk është person por vullnet politik i zgjedhësit dhe shpreh ide për vizione politike. Kur vullneti është i deformuar, ai nuk ka as vlerë dhe as emër, as parti. Ai digjet sepse ka djegur demokracinë, parlamentarizmin, të ardhmen. Pas djegies vjen hiri. E pas tij dëshira e përkushtimi për të ndërtuar jetën dhe të mirën".
Reagimi i plotë i Boçit:
Ka shumë debat se si shkon puna me mandatet që janë në lista.
Një debat shterpë që stimulohet kinse nga ato që duan të mbajnë me gajret njerëzit e të gënjejnë demokracinë.
Mandati nuk është person. Ai digjet sepse ka djegur demokracinë, parlamentarizmin, të ardhmen
Mandati është vullnet politik i zgjedhësit dhe shpreh mbështetje për ide e vizione politike.
Kur vullneti është i deformuar, për shkak të grabitjes, vjedhjes, blerjes ai nuk ka vlerë. Nuk ka as emër e as parti më. Ai digjet sepse ka djegur demokracinë, parlamentarizmin, të ardhmen.
Pas djegies vjen hiri. E pas tij dëshira e përkushtimi për të ndërtuar jetën dhe të mirën.
Kufomat politike që varen sot në mandate të deformuara, që ecin somnambul e që kafshojnë ç’të gjejnë përpara, janë zombit e fundit të epokës parapolitike që po kalojmë.
Gremina është destinacioni i paracaktuar i tyre.