Nga Ilir Nikolla
Në vigjiljen e protestës së 21 shkurtit, nuk ka pse të mos bëjmë analizën e sjelljes së qeverisë përballë krizës politike që i ka mbirë në derë. Edi Rama po çudit gjithë median ndërkombëtare, me pasionin e tij të sëmurë për të shfaqur në të gjitha gjuhët e botës, paranojën se në Shqipëri gjithçka po shkon fjollë, përveç opozitës, e cila sipas tij është “e sëmurë, e verbër, e dëshpëruar”. Në intervistën e para dy ditëve për Tg2, ai mbërriti kulmin kur deklaroi se “vota në shkëmbim (gli voti di scambi - tha në italisht)” janë një fenomen normal, por “s’ka ndodhur ndonjëherë që vota në shkëmbim të ketë ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve”.
Është një qendrim prej fëmije, i cili, i kapur gafil, thotë se këtë gabim e bëjnë edhe fëmijët e tjerë dhe se s’është ndonjë bela e madhe. Me këtë qendrim nuk shkohet shumë larg. Edhe nëse justifikojmë përpjekjet për të fituar kohë, kemi ultimatumin e ditës së nesërme. Ai s’mund të neglizhohet, duke intimiduar protuestuesit të mos marrin pjesë dhe duke njoftuar paraprakisht gazetarët se do të ndodhë hataja, prandaj merrni kundragazet me vete.
Qasja e shurdhërisë nuk është një lojë që mund të shoqërohet me dhunën si model i shtetit të fortë. 16 shkurti foli qartë se referendumi i shqiptarëve është për të rrëzuar një qeveri që është mandatuar nga krimi i organizuar e për të nisur një proces të tranzicionit politik që na çon në zgjedhje të lira e të drejta. Në përvjetorin e 20 shkurtit, nuk ka pse të mos shfrytëzohet retrospektiva, edhe për të nxjerrë ndonjë mësim. Sado diktaturë e shkërmoqur që ishte ajo e Ramiz Alisë, për nga mendja e mykur ishte ende një makineri e rrezikshme dhune, e mbushur me plot kamikazë, që e shtonin shumë rrezikun e taksës së gjakut që do paguanin shqiptarët për demokracinë. Gjithsesi taksa ishte e lartë, sepse u shoqërua me një emigracion masiv, por me 20 shkurt makineria e diktaturës rrëfeu falimentimin e vet dhe pranoi “referendumin e sheshit”. 28 vjet më vonë, Edi Rama po paraqet një mendje më të mykur sesa Ramiz Alia teksa shpall se s’ka dialog, se s’shqetësohet për opozitë e se do përdorë mekanizmat e dhunës për të shtypur protestën. Kjo sjellje është e papërshtatshem për t’u shqiptuar në përvjetorin e 20 shkurtit.
Nëse njoftimi për maskat e gazit lotsjellës është një “lapsus frojdian” i qeverisë, do ta shohim ditën e nesërme, por mekanizmi i dhunës nuk është mirë të evokohet me 20 shkurt. Shembulli flet që qeveria shurdhe s’di ku ka kokën, por mirë është ta shohë bilancin e 20 shkurtit 1991 dhe të dijë të sillet me përulësi ndaj referendumit të nesërm para parlamentit.