Juristët dhe njohësit e Kushtetutës e kanë cilësuar vendimin e kreut të shtetit për anulimin e datës së zgjedhjeve si veprimin më të duhur në kulmin e krizës politike.
Juristi Sokol Hazizaj, në një intervistë për “Ora News” u shpreh se kreu i shtetit u dha një mundësi palëve që të gjejnë zgjidhje politike dhe të mos shkojnë në konflikt.
Edhe juristi Ylli Manjani u shpreh se vendimi i presidentit është një akt i nevojshëm.
“E sforcuar por gjëja e duhur, ishte zgjidhja që dha më në fund Presidenti i Republikës. Ka ndodhur dhe më parë ç’dekretimi i datës së zgjedhjeve, por në kuadër të një proçesi politik. Ndaj them “e sforcuar”. Por absolutisht gjëja e duhur. Nuk mund të zbatohej një dekret për mbajtje zgjedhjesh, pa zgjedhje. Nga ana tjetër, Presidenti është përfaqësues i unitetit të popullit dhe smund të lejojë që ngjarjet e dekretuara prej tij të çojnë në përçarje. Tani është momenti të fillojnë konsultimet për një datë të re. Shpresoj që këto konsultime të prodhojnë dhe dialogun e munguar. Deklaratat e tjera kërcënuese të tipit që “ne do i bëjmë zgjedhjet edhe pa dekret”, shpresoj të jenë ende të nxituara…. Ende më ngjajnë si thirrja që ju bëri policëve në 2017 hiqini kapelet e bëni fushatë për PS… Shpresoj vërtetë të jenë të nxituara për konsum militantësh… Ende nuk e mendoj dot Kryeministrin si Puçist…“,- deklaron Manjani.