Ish-ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Agim Nesho, ka komentuar takimin e pritshëm mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij grek, Kyriakos Mitsotakis, me rastin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, që ka mbledhur liderët më të rëndësishëm botërorë, si edhe ekuivalentët e tyre në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një intervistë dhënë për televizionin informativ “NeWs 24”, Nesho është shprehur se në takimin Rama-Mitsotakis duhet të trajtohen çështje esenciale për politikat dhe diplomacitë respektive, duke theksuar nevojën e transparencës së bisedimeve që do të zshvillohen mes tyre. “Grekët për Shqipërinë janë një fuqi e respektuar. Shqipëria dhe Greqia duhet që të respektojnë njëri-tjetrin e jo kryeministrat të flasin për basketboll. Duhen pra gjëra që janë esenciale, që kanë kuptim për politikat dhe diplomacinë tonë. Për takimet bilaterale duhet transparencë, ta dinë shqiptarët se çfarë Rama ka biseduar me Mitsotakis”, u shpreh diplomati Nesho.
Më tej, Nesho e konsideroi prezencën e Shqipërisë në OKB më tepër si “prezente”, pasi sipas tij “ne nuk jemi lojtarë, por thjesht marrim pjesë”. “Mendoj se nuk ka përgatitje aq të madhe, se po të kishte më shumë do të ishim prezantuar më mirë. Tiranës i interesojnë problemet ballkanike, Problem kryesor për ne mbetet Serbia, e cila vazhdon që të pretendojë për Kosovën. Diplomacia serbe po tregohet tendecioze. Ne nuk jemi lojtarë, por thjesht marrim pjesë”, tha Nesho.
Nju Jorku, vendmbajtja e mbledhjes së OKB-së, do të jetë vend i diskutimeve të një vargu krizash në botë, duke nisur nga ngrohja e planetit, pasiguritë ekonomike dhe konfliktet që kërcënojnë përshkallëzim të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe disa vendeve të Lindjes së Mesme. Lufta tregtare, emigrimi, furnizimi me energji, ndryshimet klimatike dhe zhdukja e varfërisë është thënë se do të jenë gjithashtu temat kyçe në agjendën e Asamblesë me 193 anëtarë.