Gazeta gjermane: Dyshohet se mafia e drogës mbështet Edi Ramën

Premte, 14 February 2020 19:00

Gazeta e njohur gjermane, Die Welt, ka vizituar Shqipërinë në kuadër të turit të presidentit të Parlamentit Europian, David Sassoli.

Gjatë vizitës së tij, Sassoli u takua me një grup studentësh që u ankuan se problemi më i madh në vend është papunësia. Kjo është arsyeja se përse largohemi, thanë studentët. Gazeta shkruan se papunësia zyrtare e të rinjve është 30 përqind, por në realitet kjo shifër do jetë shumë më e madhe.

Gazeta gjermane thotë se studentët kanë edhe shumë probleme të tjera, por ata nuk folën gjatë takimit me Sassoli-n pasi aty ishin edhe pedagogët.

 
 

Më tej, gazeta shkruan se studentët kanë protestuar edhe kundër Edi Ramës, për të cilin thuhet se mbështetet nga mafia e drogës.

 

“Vetëm disa javë më parë, si në vitin 2019, studentët protestuan kundër qeverisë së socialistit Edi Rama. Rama është një mister: një piktor i pashëm dhe një politikan i fuqishëm, që i pëlqen të veshë atlete në Perëndim, por që dyshohet se mbështetet nga mafia shqiptare e drogës. Partia e tij ka qenë në pushtet me një shumicë absolute prej shtatorit 2017. Partitë e opozitës, PD dhe LSI, kanë bojkotuar parlamentin, por marrëveshja për një reformë zgjedhore mund ta ndryshojë së shpejti këtë.

Rama ka zbatuar reforma të rëndësishme në sistemin gjyqësor dhe ekonomik, kjo është arsyeja se përse Komisioni i BE rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit në maj të vitit 2019. Por ekspertët e BE nuk ishin plotësisht të kënaqur. Ata kritikuan faktin se ka pasur shumë pak arrestime për krimin e organizuar dhe se duhej bërë më shumë për të luftuar pastrimin e parave, dhe mbi të gjitha zyrtarët e korruptuar duhet të dënohen vazhdimisht,” shkruan gazeta.

Sipas saj, numri i shqiptarëve që duan të largohen nga vendi është shumë i madh. Shqipëria po pakësohet, ndërsa një e intervistuar thotë se radha e aplikimeve për punë në Gjermani është kaq e madhe, sa duhet të presësh për muaj të tërë te ambasada gjermane.

Login to post comments