‘Gjigandomania’ e Ramës në luftën ndaj armikut të padukshëm

Saturday, 21 Mars 2020 15:25

Në luftën kundër epidemisë së koronavirusit COVID-19, shfaqjet publike të kryeministrit Edi Rama shënuan një rekord të ri –ndërsa analistët kritikojnë protagonizmin e tij për të eklipsuar institucionet dhe për të kontrolluar tërësisht informacionin.
Nga Vladimir Karaj
Dy javë më parë në Parlament, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje shqiptarëve të shqetësuar nga epidemia e koronavirusit që të mbrohen nga infodemia.
“Infodemia është epidemia e lajmeve të rreme e të dhënave të falsifikuara apo të fabrikuara, e klikimeve marramendëse në burime të infektuara të informimit, prej të cilave qytetarët duhet të ruhen dhe të mbrohen vetë,” tha kryeministri, në një përpjekje për ta gjetur armikun te media.
Dy javë më pas, gjithçka është përmbysur me shpejtësi. Shqipëria është mbyllur në karantinë, parlamenti gjithashtu, ndërsa vetë Rama predikon ligjet e luftës ndaj armikut të padukshëm, duke e vendosur veten në krye të saj.
Me futjen e Shqipërisë në hartën zyrtare të vendeve të prekura nga koronavirusi COVID-19 më 9 mars, shfaqjet publike të kryeministrit Edi Rama kanë arritur një rekord të ri.
Mesditën e së premtes, në kufi të futjes në forcë të një shtet-rrethimi të plotë për fundjavën, Rama paralajmëroi ata që i quajti “tradhtarë të ligjeve të luftës” se do të përballeshin me forcat e rendit.
“Policia dhe ushtria do të mbikëqyrin çdo lagje në Tiranë, Durrës dhe në çdo zonë urbane duke ndjekur, fotografuar dhe futur në një listë të zezë tradhtarët. Çdo thyerje e ligjit të luftës do të jetë një barrë e rëndë për ta”, tha ai përmes një video-mesazhi nga shtëpia e tij.
Kërcënimi u drejtohej qindra qytetarëve që vërshuan rrugët, pas ndryshimit të regjimit të lëvizjes me fasha të ngushta orare nga qeveria. Më herët në video të ngjashme, Rama këshillonte që nga larjet e duarve me sapun e deri tek gjobat e kripura për të pabindurit.
Prania thuajse e papushimtë e kryeministrit në publik bie në kontrast me reagimin e pjesës më të madhe të liderëve në Europë dhe sipas analistëve politikë- është një përpjekje për të monopolizuar informacionin dhe komunikimin publik në Shqipëri.
Arjan Vasjari, pedagog dhe analist politik është kritik me protagonizmin e Ramës dhe atë që ai e konsideron ‘sjellje militare në një krizë sanitare’.
“Kam përshtypjen se Rama është korrekt kur beson se jemi në luftë. Por dyshoj nëse e kupton llojin e luftës. E them këtë, sepse sjellja e tij është militare më shumë se politike,” tha Arjan Vasjari për BIRN.
“Ndërkohë, kjo është një luftë sanitare, e tmerrshme, por sanitare që e e tejkalon fushën e ekspertizave të kryeministrit. Kërkon ekspertë të një lloji tjetër kjo luftë. Në këtë kuptim, nuk e shikoj shumë të përshtatshëm protagonizmin e tij, që shpeshherë është në kufijtë e prepotencës, megjithë shqetësimin real që mund të ketë,” shtoi Vasjari.
Sanitizimi i oponencës
Media është një shënjestër e vjetër e kryeministrit Rama dhe ndër të parët e futur në karantinë nga kriza e koronavirusit COVID-19. Që prej konfirmimit të rasteve të para, Rama pezulloi konferencat e shtypit me gazetarët – ndryshe nga vendet e tjera ku gazetarët vazhdojnë të ftohen çdo ditë në konferenca shtypi dhe të bëjnë pyetje.
Përmes një akti normativ, Rama kufizoi gjithashtu aktivitetin e transmetimeve audiovizive; ku nuk lejohen më shumë se dy persona në të njëjtën studio televizive ose në të kundërt penalizohen me 1 milion lekë gjobë. Pothuajse të gjitha mediat e kanë zbatuar këtë masë pa ankesa apo kundërshtime.
Rama gjithashtu e targetoi median në mesazhet e personalizuara për qytetarët, të cilat u shpërndanë në telefonat e të gjithë abonentëve të Telecom apo Vodafone.
“Laj duart, mos lëviz nga shtëpia për qejf, hap dritaret sa të mundesh, ruhu nga media,” ishte mesazhi zanor i kryeministrit për të gjithë përdoruesit e rrjetit Vodafone.
Këshilli Shqiptar i Medias protestoi ndaj mesazheve të kryeministrit duke argumentuar se ajo përbën një tentativë për të gjetur armikun për koronavirusin te media si dhe kritikoi personalizimin e komunikimit publik nga kryeministri.
Një qëndrim të ngjashëm ndan edhe gazetari Alfred Lela, drejtues i portalit Politiko.al, i cili mendon se Rama ia ka dalë të “sanitizojë oponencën” vetëm përmes një urdhri.
“Me anë të një urdhri ka arritur, për herë të parë, të mbyllë edhe studiot e debatit televiziv duke sanitizuar oponencën me anë të moslejimit të më shumë se dy vetëve nëpër studio. D.m.th, moderatori dhe një i ftuar,” tha Lela.
Lela shkon më tej, duke i parë këto masa si pjesë e luftës së gjatë të Ramës me median.
“Për herë të parë ai e ka fituar luftën e gjatë me median, por i është dashur ndihma e një murtaje globale. Nëse qëllimi e justifikon mjetin, ai ia ka dalë,” tha Lela për BIRN.
Komunikim “i infektuar”
Pothuajse të gjitha masat e qeverisë shqiptare ndaj situatës së krijuar prej “Covid-19” janë shpallur fillimisht në faqen në Facebook të kryeministrit dhe më pas janë përpiluar si akte normative të Këshillit të Ministrave.
Përshkallëzimi i masave- të justifikuara kryesisht me gjendjen e rëndë të krijuar në Itali janë shpjeguar si qëndrime kundër një pakice që nuk po i bindej karantinës. Ndryshimet e shpeshta të rregullave kanë shkaktuar megjithatë një efekt bumerangu dhe debat mbi efikasitetin e tyre.
Ndarja e kohës së lëvizjes për qytetarët në dy fasha orare në mëngjes dhe pasdite i shtoi radhët në dyert e bankave dhe supermarkeve dhe i mbushi rrugët me njerëz. Rama u kundërpërgjigj me një ndryshim të ri –lëvizja në rrugë për çdo lloj arsyeje do të lejohet vetëm në mëngjes –nga ora 5:00 deri në 13:00.
Qëndrimet e kryeministrit kanë shkaktuar reagime të përziera. Ndërsa një pjesë e qytetarëve i përqafojnë masat e ashpra, të tjerë akuzojnë Ramën se ka tejkaluar ligjin dhe se po anashkalon ekspertët dhe institucionet.
“Zaptimi” i autoritetit të institucioneve kritikohet edhe nga analisti Lela.
“Ai e ka vertikalizuar informacionin dhe pushtetin duke e futur çdo gjë që ka të bëjë me të në betonarmenë e vilës së vet në Surrel. Prej aty ai i njofton masat drastike, lëshimet e mëshirshme, përqafimet ‘klandestine’ dhe ‘sermonët e të gjitha ditëve të Zotit’ të cilat i ka kthyer të gjitha në të diela”, i tha BIRN Alfred Lela.
Lela thotë se Rama po përpiqet të kumtojë se nuk ka institucion tjetër përpos tij.
“Nëse vini re, Rama ka komunikuar në emër të ministrave të Shëndetësisë, të Brendshëm, të Mbrojtjes, e me radhë,” shton ai.
Edhe Vasjari e konsideron “të infektuar” komunikimin e kryeministrit si dhe protagonizmin e tij të shtrirë mbi të gjitha rolet.
“Ai nuk ka dhe nuk mund të ketë aftësinë që të komunikojë edhe urdhrin, edhe rregullin, edhe politikën, edhe shkencën, edhe babain e kombit, edhe mjekun infeksionist, edhe kryeministrin, edhe drejtorin e Emergjencave Civile,” tha Vasjari për BIRN.
“Është një ves gjigandomanie që i delegjitimon edhe mesazhet e dobishme që mund të japë,” përfundoi ai.

Login to post comments