TIRANË
Partia Demokratike dorëzon sot në SPAK kallëzimin penal ndaj ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka në lidhje me tenderin pa garë 1.5 milionë euro të ushqimit.
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj tha se kemi të bëjmë me një shkelje ligjore në një situatë krize, ku është bërë imediate qëndrimi afër shtresave në nevojë.
“Jo vetëm ndaj ministres Xhaçka, ndaj gjithë mekanizmit dhe gjithë institucioneve që janë përfshirë në këtë proces. Kemi të bëjmë me një shkelje ligjore në një situatë krize, ku është bërë imediate qëndrimi afër shtresave në nevojë. Këtu shkohet përtej ca shkeljeve ligjore rutinë që kjo qeveri ka bërë. Që në momentet e para kur kjo pandemi ra dhe në vend, një nga kërkesat e para të opozitës ishte që duhet të merrte masa të menjëhershme në kohën e duhur për të plotësuar minimumi nevojat e rezervës ushqimore për familjet në nevojë. Ndodhi që pas shumë ditësh, filloi një procedurë tenderimi me një shumë që është vërtetë e madhe për nevojat që sot vendi ka, 1.5 mln euro. Në Shqipëri ka rreth 32 mijë kompani që merren me furnizimin e mallrave ushqimorë. Shkojnë e zgjedhin një kompani që nuk është shqiptare por nga Maqedonia e Veriut dhe që nuk kishte pasur asnjë lloj eksperience në ofrimin e mallrave ushqimore. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për korrupsion”, deklaroi Alibeaj.
Ai tha se PD do të ndjekë rrugët institucionale dhe se nuk mund të heshtë kur vidhen paratë e shqiptarëve. “E vërteta i shërben kujtdo. Nuk është çështje akuzash, qeveria duhet të tregojë kujdesin maksimal sidomos në një situatë të tillë krize. Në fund të fundit janë paratë e shqiptarëve që duhet t’i organizojnë sa më mirë.
Nuk mund të heshtim kur vidhen paratë e shqiptarëve, buka e shqiptarëve. Ne ndjekim rrugët institucionale, deklarimet, konferenca, bërjen publike të fakteve, kallëzimin dhe pastaj shpresojmë dhe do të besojmë që ato mjete të shtetit të së drejtës do të veprojnë. Këtë lloj rruge do të ndjekim”, deklaroi Alibeaj.