Debati për Teatrin, Meta ia kthen indirekt Veliajt: Europa nuk është thjesht euro...

E Enjte, 14 May 2020 14:01

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka kthyer një përgjigje në distancë, fyerjes së bërë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës një javë më parë në debatin politik për godinën e Teatrit Kombëtar. Veliaj qe shprehur: "Kanë një shprehje epike tironcit për gjithë ata që sistematikisht fusin hundët në gjëra që as i kuptojnë, as u takojnë: Graj gamorin tat!”.

Presidenti Meta sot, i pyetur nga gazetarët sot nëse kishte koment lidhur me këtë qëndrim të Veliajt, tha:

 

“Unë uroj të kaloni sa më mirë sot dhe ishte kënaqësi që patëm këtë komunikim.  Dua ta theksoj edhe njëhërë që për cilindo që nuk e ka kuptuar akoma dhe ndoshta nuk do ta kuptojë asnjëherë që Europa nuk është thjesht euro, por në radhë të parë është kulturë, është vizion, por është edhe identitet”.

 

Deklarata e plotë e presidentit Ilir Meta:

 
 

Sot, kam depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për Shfuqizimin e Vendimit nr.377, datë 8.5.2020 të Këshillit të Ministrave ‘Për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të pasurisë nr.1/241, me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, në zonën kadastrale 8150, Tiranë’, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Eshtë një detyrim kushtetues i Presidentit të Republikës që brenda kompetencave të tij, të garantojë mbrojtjen e parimeve themelore që populli shqiptar i ka vendosur me referendum që prej vitit 1998!

Për fat të keq, Këshilli i Ministrave në këtë vendim, që në pikën 1 të tij, shpreh vullnetin se, me kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë, të ‘Teatrit Kombëtar’, kjo bashki duhet të vijojë procedurat për shembjen e godinave të Teatrit dhe ndërtimin e godinave të reja.

Përmes këtij akti, shqiptarët kudo janë, sot po rrezikohen të humbasin një pasuri publike me interes të lartë kombëtar. Me prishjen e tij, trashëgimia kulturore dhe identiteti kombëtar që mishërohet në këto godina, synohen të zhduken, dhe memorja jonë e përbashkët kolektive, të humbasë.

Ky vendim i Këshillit të Ministrave vazhdon të bartë qëllimin antikushtetues për cenimin e pasurive pronë publike që janë të lidhura ngushtësisht me trashëgiminë kulturore kombëtare dhe identitetin kombëtar.

Pra është e qartë se, përmes togfjalëshit në pikën 1 të këtij vendimi ku citohet ‘me qëllim ndërtimin e një godine bashkëkohore dhe me standarde të Teatrit Kombëtar’, shoqëruar dhe me togfjalëshin në pikën 2 se, ‘Bashkisë Tiranë i ndalohet të ndryshojë destinacionin e pasurisë së përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi’, qëllimi për shkatërrimin e godinave aktuale të kompleksit të Teatrit Kombëtar është vendosur dhe urdhëruar në mënyrë të detyruar nga Këshilli i Ministrave, ndërkohë që kryetari i Bashkisë Tiranë dhe Këshilli Bashkiak, mbetet vetëm që ta vendosin në ekzekutim këtë vullnet politik të Qeverisë dhe Kryeministrit.

Në thelb, edhe ky akt i Këshillit të Ministrave, edhe pse referuar formës dhe procedurës së përzgjedhur, mbulohet nën argumentin e një vendimi rutinë të kalimit të së drejtës së pronësisë të një pasurie publike nga pushteti qëndror tek pushteti vendor, në thelb, përmban të njëjtën problematikë kushtetuese dhe të njëjtin rrezik sikundër dhe ligji special nr. 37/2018, që aktualisht është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.

Të dy këto akte- ligji nr. 37/2018 dhe VKM nr. 377/2020, shprehin qartë të njëjtin qëllim politik: Prishjen e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, gjë e cila do të përbënte shkelje shumë të rëndë të parimeve kushtetuese që lidhen me identitetin dhe trashëgiminë tonë kombëtare, vlera këto të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe aktet ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë ka aderuar apo i ka ratifikuar.

Prandaj këto akte duhen shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila duhet të vendosë sa më shpejt edhe për pezullimin e ekzekutimit të tyre.

Më datë 9 maj 2020, kam bërë publike dy deklarata për shtyp, duke kërkuar reflektim nga institucionet e Këshillit të Ministrave dhe Bashkisë Tiranë, të cilat janë dhe palë në procesin e hapur tashmë në Gjykatën Kushtetuese.

Qëndrova në pritje të reflektimit të institucioneve përkatëse dhe kam ndjekur reagimet publike qoftë të kryetarit të Këshillit të Ministrave, ashtu dhe të kryetarit të Bashkisë Tiranë.

Këto dy autoritete përgjatë kësaj jave kanë reaguar publikisht duke shfaqur hapur se qëllimi i tyre politik dhe i unifikuar është i qartë, se nuk tërhiqen nga vullneti për shembjen e godinave të kompleksit ekzistues të Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një godine të re në truallin e tij.

Këto deklarata, përveçse vijnë në kundërshtim me parimet kushtetuese mbi të cilat duhet të funksionojë një shtet i së drejtës, për Kryetarin e Bashkisë kapërcejnë edhe kufijtë e lejuar nga ligji ‘Për vetëqeverisjen vendore’, që përcakton se bashkitë janë përgjegjëse për zhvillimin, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore me interes vendor, si dhe administrimin e objekteve që lidhen me ushtrimin e këtyre funksioneve.

Duke qenë se, pasuria që kalon në pronësi të Bashkisë Tiranë ka emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, dhe është në këtë mënyrë një objekt që lidhet me interesin e përgjithshëm kombëtar, dhe jo me vlera të trashëgimisë kulturore me interes vendor, Bashkia Tiranë nuk mundet të ketë në pronësi dhe aq më pak të shprehet për çështjet që kapërcejnë kufijtë e kompetencës dhe juridiksionit vendor që i përkasin sipas ligjit.

Juridiksioni i Bashkisë Tiranë për të vendosur për ‘Teatrin Kombëtar’, është i kufizuar. Për një pasuri të tillë publike, pronësia duhet të qëndrojë në emër të Republikës së Shqipërisë.

Kjo kërkesë e re me objekt shfuqizimin si antikushtetues të VKM-së nr. 377/2020 që u depozitua sot për shqyrtim përpara Gjykatës Kushtetuese, shpreh dhe një herë vullnetin e palëkundur e Kreut të Shtetit si përfaqësues i unitetit të popullit se, edhe kërkesa/çështja e ngritur nga Presidenti i Republikës në kërkesën e datës 24 korrik 2019 për shfuqizimin si antikushtetues të ligjit nr. 37/2018, në mbështetje të nenit 51 të ligjit nr. 8577/2000, do të duhet të vijojë të shqyrtohet, pasi të dy këto akte të kundërshtuara pavarësisht nga organi që i ka nxjerrë, apo vijueshmëria e zbatimit të qëllimit të tyre, janë akte që ndikojnë në ekzistencën e kompleksit të godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, që paraqet një interes të lartë publik dhe shtetëror të lidhur drejtpëdrejtë me respektimin veç të tjerave, të parimeve themelore kushtetuese.

E drejta për të vendosur mbi ekzistencën e objekteve dhe pasurisë sonë materiale dhe jomateriale që lidhen drejtëpërdrejtë në trashëgiminë dhe identitetin tonë kulturor kombëtar nuk i takon vetëm një qeverie apo një bashkie.

Sovraniteti për çështjet të tilla duhet t`u takojë të gjithë qytetarëve dhe përderisa ky unitet mishërohet në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në parimet themelore të parashikuara prej saj, atëherë i takon vetëm Gjykatës Kushtetuese për t’u shprehur përfundimisht mbi këtë çështje dhe asnjë institucioni tjetër.

Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që ka për detyrë të shprehet mbi pajtueshmërinë e akteve normative të organeve qendrore dhe vendore me Kushtetutën dhe me marrëveshjet ndërkombëtare (sipas nenit 131 të Kushtetutës).

Kompleksi i godinave të Teatrit Kombëtar ka një status të veçantë sipas nenit 3 të ligjit nr. 8743/2001, për shkak se është një kompleks godinash i përdorur historikisht që prej ndërtimit me qëllime kulturore dhe sociale.

Ai kompleks godinash për shkak të interesit dhe trashëgimisë që përmban, nuk është çështje vlerësimi më vetëm e një Qeverie apo e një Bashkie, por çështje e ndjesisë publike të gjithëpranuar për vlerat artistike dhe kulturore që bart.

Ky kompleks godinash është një pasuri e paluajtshme publike, që ka status dhe regjim juridik të ndryshëm nga pasuritë e paluajtshme shtetërore.

Vendimi i Këshillit të Ministrave për kalimin në pronësi të Bashkisë Tiranë të pasurisë me emërtimin ‘Teatri Kombëtar’, përveçse është bërë në kundërshtim me kërkesat dhe procedurën ligjore, qëllimin në thelb të tij, e ka të njëjtë me atë të deklaruar dhe në ligjin nr. 37/2018, për vijimin e projektit të shembjes së teatrit, duke e bërë të ketë drejtpërdrejtë implikime papajtueshmërie me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Kjo papajtueshmëri evidentohet lidhur me faktin se, qëllimi i këtij akti bie ndesh me parimet kushtetuese të mbrojtjes së trashëgimisë dhe identitetit kulturor kombëtar, të parashikuar në  nenin 3 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Këto vlera dhe parime kushtetuese kërkojnë që në një rend demokratik, shteti të ketë përgjegjësinë fillestare që të ruajë të gjitha ato asete të pasurisë së paluajtshme ose jo, të cilat lidhen, shfaqin, apo mishërojnë trashëgiminë kulturore dhe historike të së shkuarës që bashkarisht formojnë atë që quhet identitet kulturor dhe shoqëror.

Prandaj në praktikat e një qeverisje demokratike dhe të përgjegjshme, përpjekjet për shkatërrimin e këtyre pasurive materiale apo jomateriale, konsiderohen si shprehje e vullnetit të një pakice që për çdo arsye nuk ka legjitimitet për të vendosur për çështje kaq madhore që paraqesin interes të lartë publik në nivel kombëtar.

Referuar këtij arsyetimi, kalimi në pronësi të Bashkisë Tiranë, një organ ky i pushtetit vendor, të godinave të Teatrit Kombëtar, me qëllim të paracaktuar se këto godina do të prishen, përbën cenim të drejtpërdrejtë të parimeve kushtetuese të mbrojtura nga neni 3 i Kushtetutës me pasojë dëmtimin e parikuperueshëm të identitetit dhe trashëgimisë sonë kombëtare.

Kompleksi i godinave të Teatrit Kombëtar, për 80 vite të funksionimit në dimensione të ndryshme, ka krijuar kujtesën e tij dhe e bën atë padyshim përfaqësues të denjë të historisë kulturore, artistike, arsimore, sociale, albanologjike dhe politike të shtetit shqiptar; pra, të trashëgimisë kombëtare, e cila në këtë këndvështrim është pronë e të gjithëve dhe pikërisht për këto arsye gëzon mbrojtje të drejtpërdrejtë nga Kushtetuta.

Për këtë çështje qeveria shqiptare dhe Bashkia Tiranë duhet të tregojnë përkushtimin e tyre për krijimin e mjediseve në dobi të aktorëve dhe të publikut, patjetër edhe duke synuar ndërtimin e godinave të reja funksionale bashkëkohore, por njëkohësisht, pa dëmtuar aspak trashëgiminë e krijuar ndër vite në kompleksin e godinave ekzistuese të Teatrit Kombëtar, pasi një humbje e tillë do të ishte përfundimisht e parikuperueshme në të ardhmen.

Ekzistenca e këtyre godinave të kompleksit të Teatrit Kombëtar, është pjesë e pandashme edhe e trashëgimisë kulturore jomateriale, pasi në këtë hapësirë është prodhuar ndër vite art skenik, duke kultivuar me dekada vlerat më sublime të kulturës shqiptare në mbarë hapësirën shqiptare, që përbëjnë trashëgimi kulturore.

Mbrojtja e kësaj trashëgimie kërkon që mjediset, në të cilat ajo është krijuar, të forcohen, jetësohen edhe më shumë, pasi janë të lidhura me kujtesën që lidhet me vendin ku ato janë krijuar, pra me godinat, të cilat nëse prishen dhe nuk ekzistojnë më, përbëjnë një rrezik që kujtesa e veprimtarisë kulturore dhe artistike e lidhur me to të humbasë.

Ky është një argument tjetër i fortë që gjen mbështetje jo vetëm në parashikimet e neneve të Konventës mbi Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore jo Materiale, por në pjesën hyrëse (preambulën) të kësaj konvente ku citohet se, trashëgimia kulturore jomateriale dhe trashëgimia materiale kulturore dhe natyrore janë të ndërvarura nga njëra-tjetra.

Organizata ‘Europa Nostra’ e mbështetur nga Këshilli i Evropës dhe Parlamenti Evropian e ka vlerësuar këtë godinë, duke kërkuar ndërprerjen e çdo veprimi mbi të nga institucionet shqiptare. T’i kundërvihesh një mbështetjeje të Bashkimit Evropian që synon vetëm ruajtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore, është sinjali më i keq i bashkëpunimit dhe sjelljes ndaj vlerave për të cilat kemi 30 vite që përpiqemi të përqafojmë.

Shqyrtimi i kërkesës nga Gjykata Kushtetuese mbi antikushtetutshmërinë e ligjit nr. 37/2018, edhe pse mundet që palët e interesuara në këtë gjykim të pretendojnë pushimin e efekteve juridike të tij, sërish duhet të vijojë bashkarisht me shqyrtimin e kësaj kërkese për antikushtetutshmërinë e Vendimit nr. 377, datë 8.5.2020 i Këshillit të Ministrave.

Theksoj edhe një herë se, nëse Teatri Kombëtar do të cenohej si godinë para vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për çështjet e paraqitura nga Presidenti i Republikës, atëherë pasojat do të ishin të parikuperueshme.

Kjo bën të domosdoshme që të vendoset pezullimi i çdo veprimtarie apo akti që cenon godinat e Teatrit Kombëtar pezullim ky që duhet zgjasë derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të marrë fuqi.

Ndërkohë Institucionet shtetërore duhet t’u përmbahen detyrimeve të sanksionuara në Kushtetutë dhe në të drejtën ndërkombëtare, zyrtarët e të gjitha niveleve duhet të ushtrojnë në mirëbesim, në mënyrë të arsyeshme pushtetin që iu është dhënë, brenda qëllimit për të cilin ky pushtet u është akorduar, pa kaluar kufijtë e kompetencave të tilla, duke garantuar në çdo vendimmarrje mbrojtje të mjaftueshme të parimeve, të drejtave dhe lirive të mbrojtura nga Kushtetuta.

Vetëm kështu mund të garantohet një shtet i së drejtës, që i jep përparësi ligjshmërisë së praktikave qeveritare apo vendore, praktika këto që nuk lejojnë veprime autoritare të njëanshme, në dëm të interesave publike dhe kombëtare.

 

Login to post comments

Lajmet e fundit

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Politikë

Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%!

Nga Ilda Zhulali: Erion Veliaj e ka realizuar planin 9-mujor të gjobave të qarkullimit në masën 234%! Ndërsa planin e gjobave të tjera, në masën 188%! Sa më pak vende parkimi...