1-Arrestimi ‘show’ i Jamarbër Malltezit
Qytetari Jamarbër Malltezi, pedagog në Universitetin Bujqësor dhe ambjentalist i njohur, nuk u ndalua si i tillë, por si dhëndërr i Sali Berishës. Së pari ‘përzgjedhja’ me kujdes e vendit të arrestimit të tij, aeroporti i Rinasit, një nga akset publike me fluksin më të madh njerëzor në Shqipëri, nuk mund të ishte rastësi. Përzgjedhja është bërë me direktivën e ministrit Taulant Balla i cili ka patur një histori të pafavorshme me Malltezin.
Më 25 qershor të vitit 2016, Balla ka raportuar se është goditur nga Jamarbër Malltezi në tranzitin e aerportit të Romës. Katër vjet më vonë kryetari i grupit parlamentar socialist ka paraqitur një kallzim në SPAK kundër Malltezit, me pretendimin e privatizimit korruptiv të kompleksit sportiv “Partizani”.
Tre vjet pas kësaj padie Taulant Balla u fuqizua papritur duke u graduar ministër i Brendshëm nga KM Rama pas një ‘rënie nga vakti’ të përkohshme. I përgatitur për t’u emëruar kryetar parlamenti, ai u befasua kur Rama nuk i dha post dhe madje e shkarkoi si drejtues politik të qarkut të Elbasanit duke e transferuar në Fier.
Pas fuqizimit si ministër u riaktivizua “dosja Malltezi” në SPAK. Për kujtesë, E. Millonai ka drejtuar Prokurorinë e qarkun Elbasan gjatë kohës kur Taulant Balla ishte, joformalisht, ‘guvernator i Elbasanit”, si deputet i parë i qarkut, drejtues politik i PS dhe kryetar i grupit parlamentar të mazhorancës.
Të shtunën më 21 tetor, në orët e pasdites, kur priste të shoqen të kthehej nga Gjermania, Malltezi shoqërohet pa diskrecion njerëzor dhe me forcë të panevojshme. Kjo ndodh pikërisht në momentin kur Argita Malltezi del nga aeroporti, disa metra nga i shoqi që po e priste. Oficerët e policies, me sa duket kanë shpresuar në një skenë të bashkëshortes ose të Malltezit, që do të kapte edhe më shumë vëmendjen e publikut të pranishëm.
Publikimi më pas i videos së arrestimit, marrë sipas të gjitha gjasave nga kamerat e aeroportit të Rinasit nëpërmjet aksesit qeveritar, është një tjetër tregues i implikimit politik. Taulant Balla po i kthente Malltezit grushtin e supozuar që mori në Romë. Në të njëjtën kohë ai po godiste edhe Sali Berishën, një prej denoncuesve më të palodhur e të pakompromis të tij.
2-Targetimi mediatik i Malltezit si ‘padrejtësisht i pasur’
Pas videos së arrestimit, e menduar për të ngjallur frikë te opozitarët dhe për të eksituar atë pjesë të popullit me prirje bolshevike ku mbisundon gëzimi i lig për fatkeqësinë e tjetrit, erdhi lista e mirëpërgatitur e pasurive të paluajtshme apo likuide të Jamarbër Malltezit.
Lista qarkullonte e njëjtë në të gjitha mediat qeveritare, me qëllimin e krijimit të psikozës se Malltezi kishte përfituar nga statusi i tij si dhëndër i Berishës, dhe ishte pasuruar pikërisht prej kësaj. Konteksti shpërfillej krejtësisht. Fakti se Malltezi ishte trashëgimtar i një familjeje autoktone me qindra hektarë tokë në pronësi, nga të cilët ka marrë vetëm një pjesë të vogël (pikërisht zonën ku ndodhej ish-kompleksi Partizani), shmangej me qëllim.
Malltezi shënjestrohej për pasurimin e tij përmes zhvillimit të pronës së vet, privatizuar në mënyrë legale, me firmat e ministrave dhe kryeministrave socialistë, duke anashkaluar logjikën e të ardhurave që gjeneron një investim në një sipërfaqe të tillë. Sektori i ndërtimit në Tiranë ka pasuruar me qindra biznesmenë, me apo pa lidhje me politikën, dhjetra herë sa Malltezi.
Shtypi i qeverisë, i pajisur me linjën që duhet të mbante, nuk ishte i interesuar për logjikën dhe rrethanat, por vetëm sulmet ad hominem. Jamarbër Malltezi goditej si dhëndrri i kundërshtarit politik, shef i opozitës. Pjesa tjetër e xhelozisë për pronën dhe pasurinë i lihej turmës. E cila si në ’44 duartrokiste ‘drejtësinë e re’ që shpronësonte kulakët.
3-Shpërfillja e Kushtetutës dhe statusit të deputetit të Sali Berishës
Në një shkelje flagrante dhe arrogante të Kushtetutës, ligjit themeltar të shtetit, prokurorët e SPAK kanë vënë në lëvizje ndalimin e lirisë së deputetit, Sali Berisha. Ata kanë dalë edhe kundër precedentëve të vendosur nga rastet e tjera si Tahiri, Frroku, Bllako, Koka etj., kur Prokuroria, në respekt të Kushtetutës i është drejtuar Këshillit të Mandateve në Kuvend.
A janë amatorë, dmth mosnjohës të ligjit, prokurorët e SPAK, apo lëvizja e tyre antiligjore ka patur prapavijë politike. Kësaj mund t’i japin përgjigje vetë, qoftë edhe duke dhënë një arsye të tretë përveç këtyre të dyjave, e cila i qëndron logjikës.
4- “Dosja Berisha-Malltezi” u hap me urgjencë të pahasur më parë
Më 24 nëntor 2020, Taulant Balla paraqiti një padi në SPAK kundër Malltezit, Sali Berishës e të të tjerë, për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”.
Një javë më vonë, me 1 dhjetor 2020, Prokuroria e Posaçme hapi hetimet për çështjen. Një institucion i cili është qortuar shpesh për zvarritjen e çështjeve apo përcjelljen e tyre në shkallë të tjera të gjyqësorit, në një shpejtësi të pahasur më pare, hapi çështje kundër ish-kryeministrit dhe dhëndrrit të tij. A ishte kjo çështje më e nxehta dhe më tronditësja në skakierën e korrupsionit të dyshuar në Shqipëri, apo prokurorja që hapi hetimet në dimër të vitit 2020, nuk ishte e preokupuar me asnjë çështje tjetër?
Apo një padi e ardhur nga një prej eksponentëve më të lartë të pushtetit e vendoste SPAK-un ose në presion për të hapur hetimet ose në pozitat e shlyerjes së një borxhi ndaj kryetarit të grupit parlamentar socialist?
5-Hetimet zgjasin tre vjet dhe të dyshuarit nuk pyeten kurrë
Pavarësisht shpejtësisë me të cilën u hap çështja kundër Berisha-Malltezit, ngadalësia epike e SPAK u rikthye në procesin e hetimeve. U deshën rreth tre vjet që Prokuroria të konkludonte hetimet dhe të shpallte masat për të dyshuarit. Ajo që kërcet në gjithë këtë tejzgjatje është fakti se Berisha, Malltezi apo Bektashi nuk u thirrën për t’u pyetur as një herë të vetme.
Dosja kundër tyre u ‘qep’ me pretendimet e njërës pale, duke mos i dhënë mundësinë palës tjetër të paraqiste qëndrimet e veta lidhur me dyshimet. Hetimi jashtë radarit nga prokurorët e çështjes ngre dyshimet, ose të një presioni qeveritar ose të një zgjedhjeje gjithashtu ekstra juridike të tyre për të mos u lejuar të paditurve nga Balla të gjitha akseset që ofron procedura dhe ligji.
6-Etiketimi i aksionit të SPAK si ‘fundi i pandëshkueshmërisë’
Targa e zgjedhur nga mediat qeveritare për paditë e Prokurorisë ka qenë ‘fundi i pandëshkueshmërisë’. Kjo është bërë nëpërmjet diabolizimit të Berishës dhe Malltezit dhe heroizimit të sistemit të drejtësisë. Nënteksti i kësaj propagande fsheh një qëllim, natyra e të cilit dëshmon se pse ky proces është kryekrejet politik.
Duke ngarkuar Sali Berishën me barrën e të pandëshkuarit, dhe duke lidhur aksionin kundër tij me fundin e kësaj pandëshkueshmërie, kërkohet të krijohet përshtypja në publik se me ish-kryeministrin merr fund edhe “kryqëzata” e drejtësisë ndaj politikës.
Pastrimi i ahurit politik ka ndodhur dhe tani, Shqipërinë nën Edi Ramën ‘lum kush të rrojë ta shohë zonjë’. Kjo alibi e rreme fsheh si Ramën ashtu dhe drejtësinë nga dyshimet e publikut (sepse shpagimi dhe misioni u kryen), por më shumë se kaq, fsheh nga publiku krijimin e një republike justicialiste, mbrothi i së cilës është i mundur me vetëm një kusht: të mos preket kryeministri në pushtet. Bashkëpunëtorët e tij dhe ish-qeveritarët e opozitës PO, por JO shefi i qeverisë.
Kjo ‘martesë e lumtur’ u lejon, si drejtësisë ashtu edhe ekzekutivit, që të zgjedhin se kush bëhet kurban dhe si. Parimi është i thjeshtë: turmat kanë nevojë për flijime herë pas here. Kushtetuta dhe ligji nuk janë më shumë se ‘kinezëri’.