Rama tregon arsyen e vërtetë të burgosjes së Salianjit, thotë se pasojat e vendimit të gjykatës do i shihni në zgjedhjet e ardhshme

Premte, 27 September 2024 22:26
 

Edi Rama, edhe pse ndodhet në SHBA, po ndjek me interes të lartë vendimet e gjykatave të tij politike në Shqipëri, të cilat kanë nisur punën në aleancën parazgjedhore që kanë me të, për të burgosur kundërshtarët politikë.

Që nga momenti i dënimit të Ervin Salianjit, Edi Rama ka reaguar tre here, duke derdhur përroin e tij psiqik ndaj opozitës dhe duke marrë hapur autorësinë e urdhërit politik për dënimin e deputeti demokrat për agjitacion dhe propagandë. 

Pasi u sigurua që Salianji u nis për në qeli, Edi Rama, në një reagim në X ka treguar edhe arsyen e vërtetë të burgosjes, zgjedhjet e 2025. Rama thotë në postim se rezultatin e vendimit të gjykatave të tija, opozita do ta shohë edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Mesa duket, Salianji filloi t’i krijojë shqetësim dhe pasiguri në qarkun e Elbasanit, ku u emërua drejtues politik nga PD, dhe kjo gjë ka bërë që Rama në pamundësi për ta përballuar në tërrën në garën elektorale, e nxori nga gara me gjykatë dhe polici politike për ta çuar pas hekurave.

Postimi i Ramës:

Heroizimi i një krijuesi rrethanash të rreme për të sulmuar publikisht një kundërshtar politik, duke coroditur me muaj të tërë opinionin publik me një fushatë të egër shpifjesh përmes telenovelës “Babale”, si edhe kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë që bazohet në ligjin kundër veprës penale të kallzimit të rremë, flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve nën Penxheren e Katit të Tetë të pakicës!

Viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve - sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet Liri Shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë, një film i Kinostudios së Shqupit me aktorë e me producentë të përkushtuar për të bërë keq - tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie.

Jo më kot shpifja konsiderohet në të gjithë librat e shenjtë si një mëkat gati i barabartë me vrasjen e tjetrit; jo më kot shpifja konsiderohet në botën demokratike si një vepër e dënueshme dhe si një helm prej të cilit janë ruajtur me fanatizëm organet e shtypit, deri kur bota mori kot nëpër oqeanin e mediave e të rrjeteve sociale, ku shpifja është kthyer në peshkaqenin më të frikshëm; jo më kot njerëzia në vendin tonë është lemerisur nga prurjet e shpifjes nëpër ekranet e kanalet e rrjeteve sociale.

Ideja se një politikan mund të shpifi lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, ndërsa kush lufton me shpifësit ligjërisht apo e thotë hapur si puna ime, se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për lirinë e për demokracinë, nuk qenka tjetër përpos një shtypës i fjalës së lirë e i opozitarizmit, është një ide që ka marrë zë të lartë prej mbrëmë, pikërisht sepse shpifësit e të gjitha foltoreve e banaqeve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht, këdo që nuk e mundin dot politikisht me fakte e me argumenta. Faktet e argumentat duan punë e aftësi të tjera nga aftësia për të shpifur, që i shkon për shtat çdo humbësi në betejën politike e çdo dembeli të paguar për të informuar publikun, për të cilin shpifja është një depo e pambarimtë municioni në shpirtin e zymtë dhe mendjen e ngushtë, ulur rehat në kolltukun e mendjeshitësit televiziv apo digjital. Por nuk ka asnjë diskutim se për çdo njeri normal, që meriton të informohet lirisht për faktet dhe të ketë mundësinë ta ndjekë jetën publike e politike, pa u marrë zvarrë nëpër lumenjtë e llumit të shpifjeve e sherreve me libër shtëpie, vendimi i djeshëm i gjykatës ishte një lajm i shumëpritur pozitiv.

Sa për mua që nuk i komentoj vendimet e gjykatave, kjo vlen gjithnjë kur ato vendime nuk janë të formës së prerë apo edhe kur mund të mos më bindin personalisht, sepse kurrë nuk mund t’i ve në diskutim punët e drejtësisë, por nuk më ndalon dot askush që ta ndaj publikisht opinionin tim kur drejtësia bën drejtësi deri në fund. Kështu që heroin e saj të ri Mbretëria e Shpifarakëve mund ta ngjisë edhe krah për krah Penxheres së Katit të Tetë në gjoksin e bluzave qesharake të luftës kundër Drejtësisë, sepse kësisoj jo vetëm do të ritregojë se sa larg realitetit të shqiptarëve është, po edhe do ta meritojë akoma më shumë vendimin e hidhur të Gjykatës Sovrane të Popullit në zgjedhjet e afërta politike.

Login to post comments

Lajmet e fundit

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

Politikë

Ç’ndodh me portin e Durrësit/ Media gjermane: Kompania fiktive dhe lidhjet e errëta

  “Përshkallëzohet drama në portin e Durrësit. Detaje të reja mbi kompaninë fiktive kroate dhe lidhje të mundshme kriminale”. Me këtë titull e përditshmja gjermane “Focus Online” i ka kushtuar vëmendje...

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

Politikë

'Rinia iku, kryehajduti godet pensionistët', Hajderasi: Ku e gjeni buxhetin për kupolën tuaj kriminale?

  Nga Rruga e Shpresës, në tubimin qytetar, anëtarja e FRPD, Alda Hajderasi tha se Edi Rama, pasi largoi rininë, ka filluar të godasë ata që kanë ngelur, pensionistët. SPAK pse nuk...

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

Politikë

'Takimi me shqiptarët në Londër', Lela: Atdheu që keni lënë, nuk është ai që Edi Rama dhe Taulant Balla ju paraqesin

  Shqiptarët që jetojnë në Britaninë e Madhe i janë përgjigjur masivisht ftesës së bërë nga kryetari i PD-së, Sali Berisha për një takim në Londër.  Drejtori i komunikimit në PD, Alfred...