Një ditë pasi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, ka reaguar edhe ambasadori i SHBA-ve në vendin tonë, Doland Lu.
Gjatë një aktiviteti të organizuar për punën e Shoqërisë Civile, ambasadori Lu ka bërë deklarata të forta lidhur me ata që i quan “peshq të mëdhenj” dhe ka permendur edhe emra.
Ai ka folur me emra, duke përmendur Arben Ndokën, Elvis Rroshin, si dhe rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.
“Mirëpresim faktin që zoti Tahiri do përballet me drejtësinë si qytetar i zakonshëm pa imunitet”,- tha ambasadori Lu.
“Nëse mund të nxisim politikanët dhe prokurorët që më në fund të heqin pandëshkueshmërinë ndaj këtyre kriminelëve, atëherë Shqipëria do të ketë një të ardhme shumë të ndritur”,- vijoi ai.
Po kështu ai tha se, duhet të arrestohen dy persona të skeduar për trafik droge, Klement Balili dhe Arbër Cekaj, pronari i kompanisë ku u gjetën 613 kg kokainë.
Ai ka theksuar rëndësinë e zbatimit të reformës në drejtësi dhe vettingut.