Zv. Kryetari dhe deputeti i LSI-së, Luan Rama tha se protesta e 26 majit është një nga shfaqjet e rolit opozitar.
Deputeti i LSI-së tha në Syri.net se rruga ligjore dhe denoncimi janë mënyrat e duhura, duke shtuar se Prokuroria është para provës për të treguar paanshmëri dhe besueshmëri.
“Prokuroria duhet të kalojë provën e zjarrit, duket të tregojë që nuk është një mekanizëm që mban Kryeministri, është përballë një prove që duhet të bindë edhe skeptikët. Duhet të thërrasë edhe Kryeministrin mbi gjithçka që tha për analizën e video-përgjimit, kur tha se ai i është drejtuar një agjencie prestigjioze për të bërë analizën e video-përgjimit.
Rama nuk ka çfarë të bëjë publike, sepse nuk ka asnjë lloj përgjigje. Madje edhe po të kishte iluzionin se do të kishte të drejtë, do të shfaqej i qetë dhe nuk do të deklaronte se nuk e tregon adresën e agjencisë që ka përdorur për ti bërë analizën video-përgjimit.
Rama u shfaq arrogant, është në hall të madh dhe është në detyrën e organeve të zbatimit të ligjit ta shpëtojnë nga ky hall, sikundër opozita ka detyrimin që ta nxjerrë lakuriq Ramën në sytë e opinionit publik”, tha Luan Rama.
Sipas Luan Ramës, për fat të keq qytetarët e Kukësit janë ende në burg për asgjë, janë në burg për atë që vetë Kryeministri e pranoi gabimin dhe kërkoi falje. “E ndërsa ata janë në burg dhe askush nuk flet për ta, vazhdojnë përmasat e një sjelljeje kriminale të qeverisë”, tha deputeti.