Arti është gjuha që nuk njeh kufij politikash dhe shtetesh.
Muret ndarëse mes Kosovës dhe Serbisë për artistët tashmë janë të thyera dhe kjo është vërtetuar edhe së fundmi me pjesëmarrjen e këngëtares shqiptare, Albana Bilalli në Beograd.
Albana ka interpretuar në gjuhën shqipe në teatrin “Kosmodrom”, katër nga këngët e saj të reja, të cilat do të jenë pjesë e albumit të saj më të ri, të dytin me radhë, shkruan GazetaExpress.
Këngëtarja nga Prishtina ishte e ftuar nga saksofonisti dhe kompozitori i njohur nga Zelanda e Re, Hayden Chisholm.
Bendi me të cilin Albana ka interpretuar së bashku me Hayden ishte e tëra e përbërë nga muzikantë nga Serbia.
Për Gazetën Express Albana është shprehur se mikëpritja ka qenë shumë e mirë nga muzikantët dhe publiku serb dhe se nuk ka pas asnjë problem ani pse ajo ka interpretuar në gjuhën shqipe.
Ndryshe Albana pritet që së shpejti ta sjell albumin e saj të dytë./GazetaExpress/