Ylli portugez Cristiano Ronaldo ka zbuluar se ndryshimi i marrëdhënieve me presidentin e Real Madridit, Florentino Perez, e kishte bindur atë t’i japë fund qëndrimit nëntëvjeçar në Madrid.
Sulmuesi, i cili iu bashkua Juventusit për rreth 100 milionë euro në korrik, u largua nga Spanja si golashënuesi më i mirë në histori i Real Madridit, pasi e udhëhoqi klubin drejt fitimit të 15 titujve, përfshirë katër herë Champions League dhe dy herë La Ligan.
Ekipi pohoi se transferimi i tij ishte bërë me vullnet dhe kërkesë të lojtarit. Megjithatë, në një intervistë për France Football, Ronaldo ka treguar se sjellja dhe qëndrimi i Perezit ndaj tij sollën largimin e tij nga klubi.
“Ndieja se brenda klubit, veçanërisht nga presidenti, nuk më konsideronin më siç më kishin konsideruar në fillim. Në katër apo pesë vitet e para, kisha ndjesinë e të qenit ‘Cristiano Ronaldo’. Më vonë ndihesha më pak i tillë. Presidenti më shihte me sy, që nuk donin ta thoshin gjënë e njëjtë, sikur nuk kisha më rëndësi dhe vlerë për ta, nëse e dini çfarë dua të them. Kjo situatë më bëri të mendoj largimin. Nganjëherë, i lexoja lajmet që thoshin se unë po kërkoja largimin. Kishte pak të vërtetë në këtë, po e vërteta është se gjithmonë e kam pasur përshtypjen se presidenti nuk do të më mbante. Nëse do të kishte qenë në lidhje me paratë, do të shkoja në Kinë, ku do të kisha fituar pesë herë më shumë se këtu, te Juventusi, apo te Real Madridi. Unë nuk kalova te Juve për paratë. Kam fituar të njëjtën shumë edhe në Madrid, nëse jo më shumë. Dallimi është se, te Juve, me të vërtetë më donin mua. Ata ma thanë dhe ma bënë të qartë këtë”.- u shpreh portugezi.