Gazetari i emisionit “Ajsberg” në Fax News, Jetmir Olldashi, i ftuar në studion e lajmeve ka dhënë të tjera detaje në lidhje me audio-përgjimin Xhafaj-Veliu.
Olldashi ka thënë se intervista e Albert Veliut ka patur edhe ironi. Këtu hyjnë deklaratat e Veliut për varfërinë e tij.
“Unë e kam thënë dhe herë tjetër, mua më është dukur ironi vlonjate intervista e Veliut. Sepse po ta shikosh, ai tregon dhe motivet, por ai ka bërë ironi. “Jam hallexhi etj”, janë mesazhe të koduara të botës së nëndheshme. Nuk e kam verifikuar dot prezencën e Agron Xhafajt, se nuk isha prezent.”-tha Olldashi.
Më tej, Olldashi ka folur edhe për arsyet që e kanë shtyrë ta çonte investigimin e tij tek PD.
“Misioni ynë si gazetar përfshin investigimin dhe mbi Prokurorinë dhe Policinë, si mund t’i drejtohesha Policisë. Misioni ynë nuk është zbatimi i ligjit por dalja e të vërtetës. Nuk e di nëse PD i ka bërë verifikimet. Unë jam përpjekur të distancohem pasi kam dorëzuar materialet. Më kishin ngelur në dorë dhe s’kisha ç’ti bëja dhe mendova se PD-ja mund t’i përdorte më mirë.”-ka thënë Olldashi.
Gazetari Olldashi ka thënë se i është ofruar mbrojtja nga prokuroria, por ai e ka refuzuar.
“Prokuroria nuk ka ndryshim cilësor. S’kam pasur besim as atëherë e as tani. S’kisha si ti drejtohesha prokurorisë. Puna e gazetarit është t’i tregojë opinionit publik të vërtetën. Atë të vërtetë që nuk kalon nga zyrat e shtypit të prokurorive. Më është ofruar mbrojtja nga prokuroria, por nuk e kam pranuar. Si me mbrojtje si pa mbrojtje nuk ndryshon ndonjë gjë në histori. Si ti kem ata 5 policë me vete si mos ti kem është njësoj.”-është shprehur gazetari.
Spikerja Brikena Prifti e pyeti Olldashin nëse ka patur kërcënime pas daljes së audio-përgjimit, dhe gazetari ka thënë se ka patur linçim nga mediat proqeveritare.
“Jam linçuar publikisht. Jam linçuar nga media afër qeverisë , nuk janë marrë me punën time si gazetar por me Jetmirin”-tha Olldashi.