Dy presidentët shqiptarë në SHBA, njëri duke shit toka e tjetri: Jo shkëmbim kufijve me Serbinë!

E mërkurë, 06 February 2019 09:46

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ishte dje i ftuar Nderi në Senatin amerikan nga Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes, Senatori Jim Inhofe. Kreu i shtetit mori pjesë në forumin me temë: “Sfidat e Rajonit të Europës Juglindore dhe përballja me ndërhyrjen nga Rusia”, ishin të pranishëm politikanë të rëndësishëm të senatit amerikan, si dhe përfaqësues të vendeve të Ballkanit. Takimi kishte në qendër ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor, por edhe zhvillimet e tjera që lidhen me rajonin. Jashtë vëmendjes të takimit nuk ka mbetur çështja më e rëndësishme që lidhet me marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj. Në këtë forum të rëndësishëm kreu i shtetit shqiptar Ilir Meta, mbajti një qëndrim të qartë lidhur me pozicionin e Shqipërisë në debatin e fundit për marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit. Duke theksuar nevojën e një marrëveshje mes dy shteteve që do të sjellë njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimin në OKB, kreu i shtetit nënvizoi dy elementë të rëndësishëm. E para që kjo marrëveshje duhet të ketë garantues të zbatimit të saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë, futja e dy autoriteteve më të rëndësishme ndërkombëtarë  siguron që çdo pakt të mos jetë vetëm në duart e politikanëve që janë në proces negocimi. Pika e dytë dhe më e rëndësishme ka të bëjë me ndryshimin e kufijve ose korrigjimin e territorëve që serviret si zgjidhje nga politikanë të veçantë në Prishtinë dhe është hedhur si ide nga pala serbe. Lidhur me këtë çështje, Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se i vetmi ndryshim i kufijve për të cilin duhet të punojnë të gjithë në Ballkan është integrimi i rajonit në Bashkimit Europian.

“Ne jemi të bindur se marrëveshja përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të prodhojë paqe, stabilitet, siguri afatgjatë në rajon duke pasur SHBA-në dhe BE-në si garantues. Rezultatet e kësaj marrëveshjeje përfundimtare do të thonë se Kosova do të jetë njohur nga Serbia si një shtet i pavarur dhe anëtar me të drejta të plota i Kombeve të Bashkuara. Ndryshimi i vetëm kufitar për të cilin duhet të punojmë natë e ditë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor”,- deklaroi ndër të tjera në fjalën e tij para anëtarëve të senatit amerikan Presidenti Ilir Meta. Një qëndrim i tillë i zyrtarit më të lartë të Shqipërisë në SHBA përbën dhe linjën zyrtare mbi të cilën udhëhiqet politika e jashtme e Shqipërisë. Arsyet e një qëndrimi të tillë shpjegohen vetëm me projektin e përbashkët të integrimit në BE të Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe me faktin se nga mënyra sesi po diskutohet shkëmbimi i territoreve, shqiptarët dalin të humbur. Ajo që është prezantuar deri më sot si zgjidhje nga ana e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi është dhënia e veriut të Kosovës, shtetit të Serbisë për të marrë prej saj njohjen si shtet dhe anëtarësimi në OKB. Është lëvizje që nëse e shohim si projekt rajonal sjellë destabilizimin dhe luftë në Ballkan duke nxitur krijimin e Serbisë së Madhe. Por edhe nëse e shohim si “pazar” tipik ballkanik është më i keqi i mundshëm, sepse shqiptarët praktikisht vetëm japin territor dhe nuk fitojnë asgjë. Qëndrimi i Presidentit Ilir Meta që përbën dhe qëndrimin e shumicës së klasës politike në Tiranë, madje dhe në Prishtinë, është zhvillimi ai i integrimit në BE, si rajon dhe jo copëtimi dhe ndryshimi i kufijve kombëtarë.

>

Fatkeqësisht kur gjithë faktoi shqiptar në Tiranë, Prishtinë dhe diasporë duhet të ishte në një linjë për  mos cënimin e kufijve, dje në SHBA pamë edhe një herë çorganizimin e axhendave. Ndërkohë që Presidentit Ilir Meta fliste për njohjen e Kosovës nga Serbia me një marrëveshje të monitoruar nga SHBA dhe BE dhe duke përjashtuar mundësinë e diskutimit të kufijve, Presidenti Hashim Thaçi, po në SHBA në një tjetër takim deklaronte se “një korrigjim kufijsh është i mundur”. Thaçi përfaqëson zyrtarisht shtetin e Kosovës, por duket se një qëndrim të tillë nuk e ka të miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe as nga shumica e klasës politike në Prishtinë dhe Tiranë. Në kohën kur gjithë energjitë diplomatike në Kosovë dhe Tiranë, si dhe diaspora shqiptare në SHBA duhet të ishte me një axhendë për marrëveshjen Kosovës-Serbi, dalja me axhendën e ndryshimit të kufijve vetëm sa dëmton interesat e të dy shteteve dhe gjithë shqiptarëve.

Ndërkohë vazhdojnë takimet në Uashigton, Ilir Meta dhe Hashim Thaçi. I pari për mosndryshim e humbje të tokës shqiptare, por integrim në BE, kurse Thaçi duke negociuar si në tregun çam në Tiranë për të shitur ndonjë copë tokë Kosove që më pas ai dhe presidenti serb Vuçiç të marrin shpërblimin e premtuar nga antishqiptarët.

Login to post comments